Presidentja moldave: Do të votoja për ribashkimin me Rumaninë

Presidentja moldave, Maia Sandu, tha se do të votonte në favor të ribashkimit me Rumaninë nëse çështja do të vihej në referendum, duke theksuar se po bëhet gjithnjë e më e vështirë për vendin e saj të mbijetojë i vetëm.

Me një popullsi prej rreth 2.4 milionë banorësh, Moldavia, e vendosur midis Rumanisë dhe Ukrainës, është bërë një objektiv i sulmeve hibride ruse.

“Nëse do të ketë një referendum, unë do të votoj në favor të ribashkimit me Rumaninë”, tha Sandou në podcastin britanik The Rest is Politics.

“Shikoni çfarë po ndodh sot në Moldavi. Shikoni çfarë po ndodh në botë”, shpjegoi ajo. “Po bëhet gjithnjë e më e vështirë për një vend të vogël si Moldavia të mbijetojë si demokraci, si shtet sovran dhe, sigurisht, t’i rezistojë Rusisë.”

Moldavia ishte pjesë e Rumanisë nga viti 1918 deri në vitin 1940, kur u aneksua nga BRSS.

Në një referendum në vitin 2024, 50.4% e moldavëve votuan në favor të anëtarësimit në BE. Sandu fitoi rizgjedhjen si presidente në një balotazh me rreth 55% të votave, duke mposhtur kundërshtaren e saj pro-ruse.

Pavarësisht mbështetjes së saj për idenë e ribashkimit, Sandu shtoi se një gjë e tillë nuk mbështetet nga shumica në Moldavi — ndryshe nga anëtarësimi në BE, për të cilin vendi aplikoi në vitin 2022 dhe të cilin ajo e quajti një “objektiv më realist”.

Sondazhet tregojnë se rreth dy të tretat e moldavëve kundërshtojnë ribashkimin, ndërsa Rumania e sheh një mundësi të tillë më pozitivisht.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *