Mbrëmë, në një atmosferë të veçantë, të mbushur me emocion, përgjegjësi dhe frymë bashkëpunimi, u mbajt Kuvendi i Degës së Bashkimit Demokratik për Integrim në Zhelinë, ku u zgjodhën organet drejtuese që do të udhëheqin degën në periudhën e ardhshme.
Kryetari i Degës së BDI-së në Zhelinë, Emir Sulejmani, uroi të gjithë të zgjedhurit për besimin e marrë nga anëtarësia, duke theksuar se ky besim përfaqëson njëkohësisht nder dhe përgjegjësi për të punuar me përkushtim në shërbim të qytetarëve dhe të vlerave që përfaqëson subjekti.
“Falënderoj secilin anëtar dhe simpatizant që ishte pjesë e kësaj mbrëmjeje të rëndësishme për degën tonë. Pjesëmarrja e madhe dhe fryma pozitive dëshmuan edhe një herë se forca jonë buron nga uniteti, respekti i ndërsjellë dhe angazhimi i përbashkët për të ardhmen”, theksoi Sulejmani.
Ai shtoi se strukturat e reja do të kenë detyrën të vazhdojnë punën me përgjegjësi, transparencë dhe afërsi me qytetarët, duke forcuar më tej organizimin dhe veprimin politik në Zhelinë.
Kuvendi përfundoi me mesazhe optimizmi dhe vendosmërie për sfidat që e presin degën në periudhën e ardhshme, me bindjen se përmes unitetit dhe punës së përbashkët do të arrihen rezultate edhe më të mëdha.
“Na priftë e mbara në rrugëtimin tonë të përbashkët”, ishte mesazhi përmbyllës i kryetarit të Degës së BDI-së në Zhelinë, Emir Sulejmani.
https://www.facebook.com/share/p/1CzshUKU2L/