Autoritetet australiane po vazhdojnë kërkimet për shqiptarin 47-vjeçar Orijol Rukaj, i cili u arratis gjatë pjesëmarrjes në funeralin e vëllait të tij në Melbourne dhe prej më shumë se gjashtë javësh mbetet i pakapshëm.
Rukaj, i cili ndodhej në paraburgim nën akuza për trafikim të lëndëve narkotike, kishte marrë leje të posaçme për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të organizuar në varrezat e Melbournit. Në funeral, ku morën pjesë rreth 300 persona, ai ishte nën mbikëqyrjen e zyrtarëve korrektues dhe madje kishte ndihmuar edhe në bartjen e arkivolit.
Megjithatë, pas përfundimit të ceremonisë, autoritetet konstatuan se 47-vjeçari ishte zhdukur pa lënë gjurmë.
Sipas hetimeve, ai dyshohet se u largua me një automjet tip Toyota Land Cruiser, i cili e priste pranë varrezave. Policia beson se arratisja ishte planifikuar paraprakisht dhe se Rukaj ka pasur ndihmën e disa personave.
“Për shkak të numrit të madh të pjesëmarrësve në funeral, oficerët humbën kontaktin vizual me të”, kanë bërë të ditur autoritetet australiane.
Deri më tani janë kontrolluar rreth 20 lokacione në Melbourne dhe janë intervistuar familjarë e persona që mund të kenë lidhje me rastin. Hetuesit dyshojnë se Rukaj vazhdon të fshihet në zonën metropolitane të qytetit.
Autoritetet kanë njoftuar gjithashtu se disa persona që dyshohet se kanë ndihmuar në organizimin e arratisjes ndodhen aktualisht jashtë Australisë. Një person është ndaluar për t’u marrë në pyetje në aeroportin Melbournit, por më pas është liruar pa u ngritur akuza ndaj tij.
Policia australiane ka publikuar edhe identifikimin e të arratisurit. Orijol Rukaj përshkruhet si person me trup të hollë, rreth 1.76 metra i gjatë, me sy ngjyrë kafe dhe flokë të shkurtër. Ai është parë për herë të fundit i veshur me këmishë të bardhë, kostum të zi dhe atlete sportive.