Gjatë vizitës së punës në Uashington, Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi u takua me Daniel J. Lejton, Zëvendës Ndihmës Sekretar në Byronë për Çështje Evropiane dhe Evroaziatike të Departamentit të Shtetit të SHBA-së.
Në këtë takim u riafirmua partneriteti i palëkundur ndërmjet dy vendeve, i ndërtuar mbi vlera të përbashkëta demokratike, angazhimin për sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, si dhe përkushtimin për paqe dhe stabilitet ndërkombëtar.
Bashkëbiseduesit shkëmbyen pikëpamje mbi zhvillimet aktuale gjeopolitike, sfidat e sigurisë dhe rolin konstruktiv të Republikës së Maqedonisë së Veriut si faktor stabiliteti në Ballkanin Perëndimor.
Kryetari Gashi informoi mbi përpjekjet e vazhdueshme për integrim të plotë në Bashkimin Evropian dhe shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së në procesin e reformave.
Gashi në takim u shoqërua nga nënkryetarët e Kuvendit, Antonio Milloshoski dhe Jovan Mitreski, si dhe nga delegacioni qeveritar i Republikës së Maqedonisë së Veriut, i përbërë nga Ministri Stefan Andonovski, Zlatko Pirinski dhe Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë, Igor Janushev.
Në vijim të takimeve në Uashington, Kryetari Gashi pati edhe një takim miqësor me Filip Riker, ish-ambasador i SHBA-së në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe mik i dëshmuar i vendit, me të cilin diskutuan mbi zhvillimet e fundit politike dhe thellimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara.
Takimet konfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe dhe angazhimin e përbashkët për thellimin e bashkëpunimit transatlantik.

