SHBA refuzon paktin e OBSH-së për përgjigje ndaj pandemive

Shtetet e Bashkuara e kanë refuzuar një marrëveshje të miratuar nga pjesëtarë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për t’i avancuar përgatitjet për pandemitë e radhës, pas një përgjigjeje të çrregullt globale për pandeminë koronavirusit, ka bërë të ditur Qeveria amerikane.

Departamenti amerikan i Shtetit dhe Departamenti amerikan i Shëndetësisë kanë thënë përmes një deklarate se e kanë transmetuar edhe zyrtarisht refuzimin amerikan për të zbatuar paktin, i cili është miratuar në muajin maj në Gjenevë, pas tre vjetësh negociata.

Pakti synon të garantojë që ilaçet, terapitë dhe vaksinat të jenë të qasshme në gjithë botën, në rast të ndonjë pandemie tjetër.

Dokumenti u kërkon kompanive prodhuese pjesëmarrëse që të garantojnë se 20 për qind e vaksinave, ilaçeve dhe testeve do të ndahen për OBSH-në gjatë një pandemie, në mënyrë që vendet e varfra të kenë qasje në to.

Negociatorët amerikanë i kanë braktisur këto negociata pasi presidenti amerikan, Donald Trump e ka nisur një proces 12-mujor për largim të SHBA-së nga kjo agjenci, pak pasi e ka nisur mandatin e ri presidencial.

SHBA-ja është mbështetësja më e madhe financiare e OBSH-së.

“Terminologjia e përdorur në amendamentet e vitit 2024 është e zbehtë dhe e përgjithshme, duke rrezikuar përgjigjen ndërkombëtare të koordinuar të OBSH-së që fokusohet në çështjet politike sikurse solidariteti, dhe jo në veprime të shpejta dhe efektive”, është thënë në deklaratën e lëshuar nga Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio dhe Sekretari i Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e pati shpallur koronavirusin si pandemi më 11 mars të vitit 2020.

Më shumë se 7 milionë njerëz kanë vdekur që prej shpërthimit të pandemisë në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar numrin më të madh të viktimave, të përcjella nga India dhe Brazili.

 

Mos e humb lajmin

Filloi me punë naftësjellësi Selanik – Shkup

Në ditën e fundit të vitit u lëshua në...

Mariçiq, ka ambicie për postin e numrit një të KShZ

Ish Ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq, ka ambicie për...

Mashtrim prej 15 mijë eurosh: 70-vjeçari nga Tetova denoncon rast në polici

Një 70-vjeçar nga një fshat i Tetovës ka raportuar...

Deri më 15 janar zgjat regjistrimi dhe çregjistrimi i obliguesve të TVSH-së

Të gjithë personat juridik dhe fizik që nga dhjetori...
spot_img
spot_imgspot_img