Nga: Xhensil Shkëmbi
– Sa vjeçe je, nëne?
94 vjeç jam, o bir. Në 27 mars i mbush.
– Po si ka mundësi që je kaq e fortë?
Ku di unë… Zoti mbase. Ai më ka lënë gjallë.
– A je vetëm?
Vetëm jam, po jo bosh. Kam punën, kam mendjen, kam besimin.
– Si ishte jeta kur kishe familjen?
Kur e kisha burrin, isha mirë. Ai ka gati 20 vjet që më ka lënë.
Pastaj… Zoti më provoi rëndë.
– Çfarë ndodhi?
Vajzën e bëra 14 vjeçe. Nuk kishte doktor atëherë… zemra iu bë shkak dhe iku.
Pastaj bëra edhe një djalë… vetëm dy javë jetoi.
Mbeta pa fëmijë, o bir. Krejt vetëm.
– Si e përballove gjithë këtë dhimbje?
Ç’të bëja? Të dorëzohesha? Jo.
M’u dhemb shpirti, po thashë: duhet të jetoj.
Zoti më la… dhe unë vazhdova.
– Si kalon dita jote sot?
Ngrihem herët. Bëj zjarrin. Ha mëngjes.
Pastroj pak shtëpinë, laj enët.
Pasdite rri me televizorin.
Kaq. Ky është fati im.
– A ke pasur sëmundje?
Jo, o bir. Asnjëherë.
Vetëm tensionin mbaj me ilaçe.
Gjithë këto halle që hoqa… Zoti më ruajti.
– Cili është sekreti yt për kaq vite jetë?
Kujdesi.
Vjehrra më thoshte: “Sa të rrosh, mos u bëj e keqe.
Vjehrra është nënë. Edhe po s’e deshe, bëji hyzmetin.”
Unë e dëgjova.
Ndoshta prandaj jam ende këtu.
– Çfarë do t’u thoshe të rinjve sot?
Mos u ngutni me jetën.
Duroni. Punoni. Mos mbani inat.
Zoti sheh gjithçka.
– A ke frikë nga mosha?
Jo.
Kur ke pa aq shumë, mosha nuk të tremb më.
– Çfarë të mban ende në këmbë?
Besimi.
Dhe fakti që çdo mëngjes zgjohem e them:
“Faleminderit, Zot.”
Në një shtëpi të thjeshtë, nënë 94 vjeçare Axhire Memelli flet pak, por thotë shumë.
Jeta ia mori gjithçka… por nuk ia mori dinjitetin.
Dhe kjo, ndoshta, është forca më e madhe që një njeri mund të ketë.
Burimi: Korca Plus

