Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamet Hoxha në një intervistë për “Alsat-M” ka thënë se do ketë zero tolerancë për të gjithë ndotësit e ajrit, derisa paralajmëron masa konkrete si institucion.
“Nga ajo e cila gjetëm në ministri, ishte një plan 6 vjeçar i miratuar nga qeveria në vitin 2024 që parasheh për çdo vit të ndërmerren masa konkrete që do të ndikojnë në uljen e ndotjes së ajrit në Shkup dhe qytete tjera. Menjëherë pas kësaj realizova takime koordinuese me ekipin tim dhe institucionet përkatëse në kuadër të ministrisë dhe kërkova që dy planet që janë të miratuara të zbatohen në tërësi. Dhe të ndërmerren masa konkrete nga ne dhe institucionet tjera”, ka thënë Hoxha.
Shton se masat do u përmbahen dy planeve, pra atyre ekzistuese dhe do të zbatohen në bazë të ligjeve ekzistuese.
“Ligji i ri që ka të bëjë me kontrollin për industritë hyn në fuqi në vitin 2027, ndërsa është miratuar në vitin 2025 dhe ka dy vite afat për adaptimin e përshtatjes së kushteve që parasheh ligji, ndërsa prej vitit 2027 do të ketë rregulla më rigoroze”, ka nënvizuar Hoxha.

