Kudo që ka nevojë për paqen në botë, Kosova dëshiron të kontribuojmë. Kështu deklaroi kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i pyetur rreth Bordit të Paqes të iniciuar nga presidenti amerikan, ku Kosova ishte një nga shtetet themeluese.
“Ne kemi filluar së pari me pjesëmarrjen tonë në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën. Dhe aty, unë, e di që Kosova është përfaqësuar në konferencën në Doha, në Katar, nga gjeneral-lejtënant, komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari. Pra, ne kemi shprehur si Republikë e Kosovës, gatishmërinë tonë që të marrim pjesë në këtë Forcën Stabilizuese Ndërkombëtare, ku, natyrisht që FSK-ja është e mirënjohur tashmë për kërkim-shpëtim dhe për dominim, por jo vetëm. Meqenëse do të marrim pjesë në Forcën Stabilizuese Ndërkombëtare, ne kemi qenë të interesuar që natyrisht të marrim pjesë edhe në organet vendimmarrëse politike për atë Forcë Stabilizuese Ndërkombëtare.”, – deklaroi kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.
Kurti: Nevojitet gatishmëri e opozitës për presidentin
Sa i përket zgjedhjes së presidentit, Kurti tha se fillimisht duhet përfunduar procesi i rinumërimit, më pas të bëhet konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë, e më pas të shihet nëse opozita ka gatishmëri për zgjedhjen e presidentit apo presidentes.
“Ai do të jetë hapi i katërt. Pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve dhe trajtimit të të gjitha anekseve të mundshme, kemi nevojë për tre hapa paraprakë. I pari, konstituimi i Kuvendit, që nënkupton zgjedhjen e kryetares apo kryetarit dhe pesë nënkryetarëve; pastaj formimi i Qeverisë; dhe pastaj na duhet që menjëherë të fillojmë me vendimet për marrëveshjet ndërkombëtare. Ne na duhet të shohim në Kuvend se a ka atmosferë për një raport të ri qeveri – opozitë.”, – theksoi kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.
Sa i përket vjedhjes së votave brenda partive, Kurti thotë se fillimisht do të presë që të bëhet hetimet deri në fund në lidhje me manipulimin e votave, e më pas, Këshilli i përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje do të merret me kandidatët e saj.

