Ish-ministri gjerman për Evropën, Michael Roth, ka vlerësuar se Bashkimit Evropian i mungon një interes i qartë strategjik për Ballkanin Perëndimor, duke paralajmëruar se vakuumi i krijuar në rajon është shfrytëzuar nga fuqitë e tjera si Rusia, Kina dhe Turqia.
Në një bashkëbisedim në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, Roth ka thënë se BE-ja është e përqendruar kryesisht te lufta në Ukrainë, por kjo duhet të shërbejë si një “zile zgjimi” për t’i kushtuar më shumë vëmendje Ballkanit Perëndimor, shkruan KOHA.
“Ekziston një mungesë e madhe e interesit strategjik për Ballkanin Perëndimor. Kjo zbrazëti politike është mbushur nga kinezët, rusët dhe turqit, dhe ky është një problem i madh për ne”, ka thënë ai.
Sipas Rothit, përgjegjësia për ngecjen e procesit integrues nuk bie vetëm mbi vendet e rajonit, por edhe mbi qendrat vendimmarrëse evropiane si Brukseli, Berlini dhe Parisi, të cilat, sipas tij, nuk kanë arritur të mbajnë premtimet ndaj vendeve të Ballkanit.
Ai përmendi edhe rastin e Kosovës, duke theksuar se pesë shtete të Bashkimit Evropian ende nuk e njohin pavarësinë e saj, ndërsa kritikoi mungesën e një strategjie afatgjatë për Bosnjë-Hercegovinën dhe zhvillimet politike në Serbi, të cilën e cilësoi si një shtet me prirje autoritare.
Roth u ndal edhe te rasti i Maqedonisë së Veriut, duke thënë se vendi bëri kompromise të mëdha për t’iu afruar BE-së, përfshirë ndryshimin e emrit, por më pas u përball me kushte të reja nga disa vende anëtare, gjë që, sipas tij, kontribuoi në dobësimin e forcave pro-evropiane dhe forcimin e partive nacionaliste e euroskeptike.
Ai shprehu shpresën se Bashkimi Evropian do të nxjerrë mësime nga gabimet e së kaluarës dhe do të investojë më shumë angazhim politik, financiar dhe diplomatik në Ballkanin Perëndimor.